Globalizmi në përgjithësi ka imponuar rregulla të reja të zhvillimit për ekonomitë nacionale. Qeveritë dhe partitë opozitare në tërë botën po i ndryshojnë programet e veta politike, me qëllim që ta inkuadrojnë në këto programe realitetin e ri global. Posaçërisht duhet theksuar që krijuesit e politikës dhe analistë të tjerë, gjithnjë e më shumë po e pranojnë modelin neoliberal të zhvillimit me ekonomi të hapur, me intervenim minimal të shtetit në tregun e lirë (duke inkorporuar rrjedhën e lirë të kapitalit dhe tregun fleksibil të punës), si e vetmja paraqitje frytdhënëse në ekonominë e re globale!...
Globalizmi në përgjithësi ka imponuar rregulla të reja të zhvillimit për ekonomitë nacionale. Qeveritë dhe partitë opozitare në tërë botën po i ndryshojnë programet e veta politike, me qëllim që ta inkuadrojnë në këto programe realitetin e ri global. Posaçërisht duhet theksuar që krijuesit e politikës dhe analistë të tjerë, gjithnjë e më shumë po e pranojnë modelin neoliberal të zhvillimit me ekonomi të hapur, me intervenim minimal të shtetit në tregun e lirë (duke inkorporuar rrjedhën e lirë të kapitalit dhe tregun fleksibil të punës), si e vetmja paraqitje frytdhënëse në ekonominë e re globale!...Për vendet në tranzicion ekzistojnë një mori problemesh të cilat duhet të zgjidhen... Pranë problemeve standarde lidhur me trendet globale, problemet kryesore të vendeve në tranzicion kanë të bëjnë me zgjidhjen e strategjisë së mirëfilltë zhvillimore. Kjo zgjidhje do të duhej të bazohet në përparësitë komparative dhe kompetitive të vendeve përkatëse. Përvojat deri më tani po tregojnë që, përkundër drejtimeve të qarta kah rritja e konkurrencës, rezultatet mes vendeve janë mjaft të ndryshme. Përderisa, në njërën anë, disa shtete e kanë kaluar me sukses procesin e tranzicionit dhe i kanë avancuar reformat shoqëroro-ekonomike, dhe ato tani po ballafaqohen me problemet e kapitalizmit si sistem, në anën tjetër, një pjesë këtyre vendeve po ngecin në këtë proces. Në Shqipëri, p.sh. janë duke ngecur reformat shoqëroro-ekonomike dhe për këtë arsye është ngadalësuar procesi i tranzicionit dhe transformimit shoqëror. Në Maqedoni, për shkak të kundërthënieve politike mbi bazat etnike, procesi i reformave të filluara është ndërprerë dhe ekzistojnë mjaft vështirësi të fillojnë të rejat. Kurse në Kosovë reformat shoqëroro-ekonomike ende nuk kanë filluar për shkak të mungesës drastike të mjeteve financiare, ndërsa procesi i tranzicionit/ transformimit në tërësi është në ngecje të plotë, për shkak se burokracia ndërkombëtare tani e gjashtë vjet ende po hamendet dhe po e zvarritet pa nevojë, për ta pranouar ndërkombëtarisht shtetin e Kosovës, si proces të natyrshëm, që ka ardhur si pasojë e rrjedhave globale të cilat kanë ndodhur në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar në këto hapësira, për shkak të ndryshimeve gjeo-politike dhe gjeo-strategjike. Presionet globale në vendet e tranzicionit janë të shumëfishta.. .
Vetëm një pjesë e tregimit është proces i tranzicionit, që ka kahe të ekonomisë së tregut, e cila po kërkon shpenzime të mëdha shoqërore. Për ekonomitë në tranzicion, gjithashtu është me interes çështja e hapjes ndaj tregut global, si dhe bashkimi i tyre në integrimet regjionale (UE, EFTA, CEFTA etj.). Gjithherë, e bazuar në strategjinë integruese evropiane, ku kemi të bëjmë me rregulla strikte të sjelljes së organizuar të sistemit shoqëroro-ekonomik të vendit, këto kritere quhen “standarde”, të cilat duhet të plotësohen me qëllim që këto vende në tranzicion, duke u vlerësuar nga Pakti për stabilizim dhe asociim, do të duhej t’i krijojnë parakushtet për integrim në Unionin Evropian (vitin e kaluar tetë shtete ish-socialiste, duke plotësuar këto standarde, plotësisht janë integruar në UE). Problemi i vendeve të vogla në tranzicion është nevoja për t’u përshtatur më shpejt rrethanave të reja të procesit globalizues, që është duke ndodhur në tregjet botërore. Kjo është shkaktuar prej varësisë shumë të madhe nga këto tregje... Duhet pasur për bazë se kriteret dhe çështja e përshtatjes, përfundimisht varen nga zgjidhja dhe shpejtësia e realizimit të reformave shoqëroro-ekonomike në këto vende. Përvojat po tregojnë që prioritetet dhe qëndrueshmëria e masave reformuese, që menaxhohen nga ana e qeverive, përfundimisht e përcaktojnë suksesin e tyre!? Përkundër pozicionimit momental të shumicës së ekspertëve dhe analistëve, për natyrën e procesit globalizues, do të duhej të shtrohet çështja për mekanizmat e tregut, të cilët kur janë pa mbikëqyrje nga ana e shtetit krijojnë probleme të pabarazisë, jostabilitetit dhe joveprimit shoqëror.
Mund të thuhet se këto janë probleme të udhëheqjes dhe kontrollit së procesit të tranzicionit, të kokëfortësisë dhe të këmbënguljes së reformistëve, ose të zgjedhjes së qëndrimit alternativ, i cili do të sillej më mirë me tregun e lirë, përkatësisht do të siguronte drejtësi dhe respektim të shtetit ligjor ndaj veprimit të reformave. Kjo njohuri është vendimtare për suksesin e tranzicionit (kalimit), ose, thënë më drejt, fillimin e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të një vendi, në rrethanat e reja globale!Shpejtësia e jetësimit të reformave ekonomike varet, gjithashtu, edhe nga pikëpamjet e partive politike. Në rend të parë, është padyshim kuptimi i mirëfilltë i paradigmës së zhvillimit të ri ekonomik nga ana e partive politike në pushtet dhe atyre në opozitë!?...
Internacionalizimi është duke bërë presion në kualitetin dhe dinamikën e përshtatjes për të cilat imputet në sferën reale ekonomike dhe të shërbimeve, gjithashtu, janë të standardizuara dhe të internacionalizuara . Masat e vjetra proteksioniste më nuk veprojnë. Partitë politike populistike në pushtet, janë kryesisht konservative dhe të papërgatitura profesionalisht, që t’i pranojnë trendet e reja të procesit të globalizmit. Disa prej tyre po bëhen mjaft izolacioniste, përderisa të tjerat janë të izoluara nga bashkësia ndërkombëtare. Rezultatet e zgjedhjeve mund të sjellin shkëputje në jetësimin e reformave ekonomike... Kurse, në disa raste, reformat janë ndaluar plotësisht. Ngadalësimi edhe më i vogël në reforma mund të rezultojë me humbje të besimit ndaj programit qeveritar, ose krijon opinione negative, në mosnxitjen dhe favorizimin e investimeve nga ana e qeverisë. Në këtë rast, investitorët e huaj e humbin besimin për investime të reja. Rrjedhat e tilla janë të padëshirueshme për vendet e vogla, të cilat varen direkt nga investimet të huaja, gjatë procesit të tranzicionit dhe transformimit shoqëroro-ekonomik, si dhe nga përshtatja sa më e shpejtë trendeve ekonomike, në rrethanat e reja globale!
Shënim: Nga libri: Globalizimi, tranzicioni dhe integrimet (Zenith, 2006)