Wednesday, March 28, 2007

Dëshirojmë


Nuk është për t’u habitur nga tradhëtia e njeriut që ia bën vetvetes si në aspektin e përparimit ashtu edhe në atë të shkatërrimit. Si njërën ashtu edhe tjetrën ai përpiqet t’i prezentojë brenda fjalëve të bukura dhe qëllimeve të larta. Kjo ka ndodhur në të kaluarën e si duket vazhdimësia e saj nuk ka fund as edhe në prag të mijëvjeçarit të tretë – me të vërtetë njeriu është “zalumen xhehula”, injorant e zullumqar. Njeriu është i këtillë për shkak se përpiqet ta keqpërdorë fuqinë e madhe të cilën e ka si dhuratë nga Zoti e të krijojë traditë të së keqes, duke shkatërruar ardhmërinë e njerëzisë: ai vetes i lejoi ta keqpërdorë shpirtin; për një çmim të pavlerë ta shesë intelektin e madje edhe trupin. Shkatërrimet, mjerimet e ligjeve që burojnë nga kokat e ndryshme të njerëzve me vite janë duke treguar se fare nuk kanë qenë në dobi të njeriut, përpos përsosurisë në shkatërrim dhe frikë. Në këtë shekull për të cilin tashmë flitet se ka kaluar, nëse pak e shikojmë të kaluarën – e që duhet bërë, do të vërejmë çudira, momente nga të cilat njeriu rrënqethet. E gjithë kjo për shkak se njeriu nuk u ngrit më tepër nga të qënit rob vetëm i njeriut apo siç ka thënë një filozof i Lindjes nga i cili është kërkuar t’i shërbejë mbretit: “aty është fundi dhe poshtërsia ime”.
Problemet e kohës sonë mund të konsiderohen si të padrejta për qëllimin, thelbin ose prëmbajtjen e religjionit- fesë: interpretimi i fesë brenda traditës së caktuar, etnikumit të caktuar, racës së bardhë dhe të zezë dhe studimeve që rrjedhin nga hapësira shkencore shoqërore, e madje edhe ekzakte, të cilat marrin guximin dhe japin analizat e veta që në fe nuk ekzistojnë, sepse feja sa është e dukshme në kohën “e kaluar” ajo më tepër merret përsëri me “kohën” e tashme, e cila për çdoherë gjendet në kontakt me vdekjen. Kjo vërehet më së miri kur i vëzhgojmë lëvizjet dhe rrethanat e ndryshme të zhvillimit të religjionit, ose pozitës së religjionit, si në suaza të globalitetit ashtu edhe brenda hapësirës sonë.

Vazhdimësia e persekutimit religjioz

Besimi dhe liria religjioze në këtë shekull kanë kaluar nëpër fushën e hijes së vdekjes, duke i mbijetuar “gulagët” sovjetikë, “holokaustët”, e deri te vrasja e qindra mijëra muslimanëve në hapësirat Ballkanike në vetë fundin e këtij shekulli, edhe pse civilizimi qe betuar se ky lloj persekutimi, ose për të qenë më specifik, martirësia, i takojnë të kaluarës dhe nuk do të përsëriten më. Mirëpo, u dëshmua e kundërta. Ky persekutim u ndodhi edhe të tjerëve dhe atë me përmasa më të mëdha, siç është rasti me hapësirat sovjetike, me Kinën e sila sillet me një çmenduri ndaj fesë e kështu me radhë. Shikoni rastin e Çeçenisë dhe po ndodh sot para botës. Mbi 50 mijë ushtarë me pajisje të rëndë dhe të sofistikuar ushtarake Rusia po i përdor në emër të luftimit të grupeve ekstremiste islame?! Shumica e atyre të vrarëve zënë vend në definimin e martirësisë, respektivisht ata janë njerëz jeta e të cilëve është shuar vetëm për shkak të besimit dhe lirisë së tyre të besimit religjioz.
Edhe politika dhe demokracia e imituar në hapësirën arabe në mënyrë të pakuptueshme është duke u sjellur ndaj bindjeve religjioze islame dhe ndaj muslimanëve. Edhe pse me rezervë, prapëseprapë duhet pranuar statistika e organizatave ndërkombëtare si Amnesty International dhe organizatave islame për të drejtat e njeriut të cilat japin shifra tmerruese rreth kësaj gjendjeje. Kjo nuk do të thotë se Perëndimi me ligjet e hekurta dhe sistemin kompjuterik pa shpirt nuk është duke bërë çrregullim ndaj religjionit ose religjiozitetit. Përsëri në këtë hapësirë njeriu është duke kaluar mbi padrejtësitë e ndryshme, e lëre më qetësisë së shpirtit dhe lirisë individuale bindëse që ka çdo njeri.
Ky rrezik edhe në hapësirën e Maqedonisë kalon nëpër faza të çuditshme të cilat nuk mund t’i arsyetosh, as çmendurisht e as racionalisht. Në një shkrim lexuam se nuk është e mundshme të vendoset të diç vetëm për shkak se kemi “urdhër nga dikush”, që për fat të keq një ish-ministër i këtij shteti tregoi guxim duke shkruar se përcjelljet dhe përgjimet e ndryshme, e deri te arrestet disa orëshe të cilat po bëhen kohëve të fundit në Maqedoni, janë urdhëra nga jashtë që shkaktuan mosmarrëveshje brenda establishmentit politik. Liria religjioze në këtë hapësirë ka kaluar tmerrin më të madh të ateizimit dhe masakrës së tij në kohën e ish-Jugosllavisë , kur planet religjioze, vakëfet e ndryshme dhe institucionet fetare ishin më të përgjuarat dhe “tërësisht” nën direktivën e fuqisë së tmerrshme. Kjo dukuri e mëparshme siç shihet është bërë rregull shtetëror i mentalitetit që e udhëheq këtë shtet. Kulmi i gjithë kësaj është përcjellja e hyrjes-daljes së qytetarëve të vet nga ky shtet, duke bërë fotokopjimin e çdo gjëje të shkruar apo shtypur e deri te ndalimi i tubimeve individuale me qëllime të cilat i kanë vetëm njerëzit e sinqertë.

Tërheqshmëria e “fundamentalizmit”

Asnjë fe nuk ka mundësi të jetë e tillë nëse i largohet bindjes së vet e cila del nga Libri i Shenjtë, duke filluar që nga urdhrat e ndryshëm e deri te flijimi i gjërave më të shtrenjta të kësaj jete vetëm për ta arritur kënaqësinë si rob ndaj Zotit. Feja islame këtë e ka të qartë dhe nuk ka fare dyshim se ajo thërret vetëm në të mirë, duke e çmuar e lartësuar individin dhe shoqërinë, lirinë fetare dhe moskeqpërdorimin e saj, njeriun si qenie me tërë bukuritë e tij që lartëson në piedestal e deri te kujdesi dhe thirrja për mbrojtjen e tokës, respektivisht ambientit/ekologjisë . “Fundamentalizmi” ishte një pjellë e cila sot e kësaj dite përdoret vetëm në fjalorin e shërbimit të sigurimit, i cili përzien kuptimin fundemantalizë m-terrorizë m që në asnjë fe nuk mund të haset. Islami është shumë i pastër nga kjo. Nuk ka mundësi të ketë fe pa ibadet, pa shehadet, e më në fund as pa xhihad. Po, pa “xhihad”, term ky i cili, për fat të keq, u keqpërdor. Momentalisht ky term në botë është bërë “trishtues”, ndërsa në fjalor
d.m.th. thjesht luftë. Pse t’i merret gëzimi besimtarit që të vdes në emër të Zotit për të drejtat e veta individuale e shoqërore, për të drejtat njerëzore, për idealet e fesë e nga ana tjetër mos të diskutohet fare për ata të cilët masakrojnë, shkatërrojnë duke përdorur arsenalet e llojllojshme të luftës që lënë pasoja jo vetëm në të tashmen por me vite të tëra? Kur’ani në mënyrë të përhershme thërret në edukimin e vetvetes dhe lirinë individuale duke rregulluar e përmirësuar si qëllimin ashtu edhe jetën në këtë botë.
Këtë fenomen e kaluara e ka bërë që të zhvillohet në mënyrë të pakontrolluar. Siç cekin Martin Marty dhe Scott Applebee në veprën e tyre Projekti i Fundametalizmit, fundamentalizmi religjioz është në ngritje e sipër, jo vetëm brenda Islamit dhe Krishterimit, por gjithashtu ndjehet edhe në Budizëm dhe Hebraizëm. Në këtë ka njëfarë vërtetësie lidhur me “ngritjen e fundamentalizmit” në formën e “revivalizmit” (ringjalljes) . Këtu ekzistojnë batica dhe zbatica dhe atë duke iu falënderuar shekullaristë ve dhe politikës anti-religjioze.
Tek ne me shkatërrimin e ish-Jugosllavisë u paraqit një shpejtësi në hapësirën religjioze, e cila ishte jashtë kontrollit të edukimit kulturor e profesional të fesë. Kjo është e dukshme edhe në rastin e proviniencave të tjera religjioze. Në mesin tonë mund të vërehen edhe dukuri të cilat në botë tashmë janë pranuar si momente të lirisë qoftë personale qoftë tjetërfare, ndërsa te ne, mendoj në Maqedoni, ato u pengojnë “të paprekshmëve”. Ne duhet medoemos të pranojmë se dukuri të tilla, lëvizje të ndryshme religjioze të cilat do të kenë karakter intelektual, kulturor e po ashtu edhe klasik do të paraqiten dhe atë duke u përsosur. Por nuk mund të pranohet krijimi i frikës se “ata nuk kanë të drejtë të tubohen e të thërrasin njerëz në fe”, kur dihet se imperativ i çdo feje qiellore është që të prezentohet haptazi. Këtë duhet ta përjetojë çdokush dhe çdokund, duke mos i lënë anash këtu as institucionet e ndryshme shtetërore apo qeveritare të cilat më së tepërmi kanë nevojë për një edukatë të duhur fetare. Me një fjalë: kush dëshiron pranon e kush dëshiron refuzon. Besoj se çdokush e ka të qartë se forca mund të përdoret çdokund, përpos në fe.

Islami sërish në rritje

Edhe pse nuk ka mundësi të jetë argument i duhur, rezultatet e sociologjisë e cila merret me kushtet dhe rrethanat shoqërore, tregojnë se ndryshimet në këtë shekull në hapësirën e fesë janë duke lëvizur me një shpejtësi të madhe dhe se trendi i cili e kornizon kontekstin tonë të fundshekullit është Islami. Në mesin e religjioneve botërore, Islami radhitet si feja që më së shpejti përhapet dhe atë në Perëndim. Këtu si bazë paraqitet edhe momenti demografik, por edhe ai i konvertimit dhe atë, megjithëse dikujt kjo nuk i shkon për shtati, jo me “shpatë”. Hulumtuesit religjiozë e projektojnë shtimin e Islamit në rreth 2 milardë ithtarë deri nga viti 2025, ndërsa atë të Krishtërimit në rreth 3 miliardë.
Ky shekull ka dëshmuar një ndryshim të Krishtërimit nga të bardhët në pozitën e një shumice të ithtarëve jo të bardhë. Sot më tepër se 60% e të gjithë të krishterëve vijnë nga ithtarët e racave jo të bardha jashtë Evropës dhe Amerikës, kështu që është bërë zhvendosje nga qendra e gravitetit të krishterë drejt botës së tretë. Kjo prodhon lloj-lloj faktesh interesante, siç është fakti se kisha më e madhe presbiteriane në botë nuk gjendet në Skoci por në Seul, Kore.
Te ne, duke pasur parasysh se si fe mbizotëruese kemi Islamin dhe Krishtërimin Ortodoks, ekziston shansi i madh për krijimin e projekteve të përbashkëta në prezentimin e fesë ashtu siç duhet, duke filluar nga njohjet elementare e deri te krijimi i institucioneve më të larta të cilat do të kenë mundësi të profesionalizohen në mënyrë intelektuale e kulturore dhe më në fund, të krijohet hapësira e integrimit sa më të mirë dhe harmonisë religjioze e cila për çdoherë forcon paqen dhe rendin, hidajetin, në botë. Këtë, si duket, rendi i ri i demokracisë në këtë hapësirë nuk është duke e pritur siç duket meqë më tepër kënaqet të krijojë vazhdimësinë e politikës së urrejtjes dhe pasigurisë. Kjo ndodh për shkak se udhëheqësit politikë i takojnë të kaluarës së pafesisë.
Një trend tjetër i fundit të këtij shekulli të cilin e shënojnë studiuesit e religjionit është edhe pluralizmi. Kjo në veçanti ka të bëjë me Perëndimin. I shtyrë nga multi-kulturalizmi dhe internacionalizimi i Perëndimit, llojllojshmëria e shtuar në shoqëri paraqet edhe mundësi edhe sfidë për religjionet. Llojllojshmëria e shtuar kulturore dhe kontakti ndërfetar mund të ofrojnë mundësi për mirëkuptim të ndërsjellë, rritje dhe dialog. Nga ana tjetër, sfida e modernitetit, me relativizmin dhe individualizmin e vet vazhdon t’i minojë besimet tradicionale që njëherë i kanë formësuar kredotë e ndryshme të përbashkëta, duke krijuar luftëra kulturore mes tradicionalistë ve dhe progresistëve.

Pritja e Mijëvjeçarit të ri

Kjo dukuri që po formësohet gjatë 30 viteve të fundit, me çdo muaj që kalon po intensifikohet. Arritja përtej të kuptuarit njerëzor dhe atraktiviteti i vitit 2000 i ka përfshirë të gjitha fushat, që nga tregëtia deri te qeveria, nga shkaqet humanitare deri te veprimtaria religjioze.
Nga perspektiva kulturore, viti 2000 është dymijëvjeçari i kalendarit qytetar, ndërsa për perspektivën religjioze është ditëlindja e dymijtë e Isait a.s. Në prag të mijëvjeçarit, vitet 1999-2001, janë duke u planifikuar një sërë tubimesh kongresionale dhe përkujtimoresh për ta shënuar ndodhinë e mijëvjeçarit të tretë. Në mbarë hapësirën e botës po përgatiten aktivitete të ndryshme, si Lojrat Olimpike të vitit 2000 në Sydney, Australi, Panairi Botëror (EXPO) me titull “Humaniteti/njerë zia, teknologjia dhe natyra” në Gjermani për rreth 40 milionë vizitorë; Anglia është duke harxhuar afro 700 milionë funta sterline për organizimin e Ekspozitës së Mijëvjeçarit për Kohën në Greenwich; Roma është duke pritur nja 20 milionë vizitorë për Vitin e Shenjtë 2000, ndërsa Toka e Shenjtë është duke pritur një shtim të turistëve me rastin e dymijëvjeçarit. Këtu duhet përmendur edhe Turqinë ku përgatitet projekti i “turizmit të krishterë”; këmbana e paraparë për t’u vënë me këtë rast në sheshin e Tiranës e deri te projekti “2000 kisha deri në vitin 2000” në Maqedoni.
E nga ana tjetër kemi një gjë krejtësisht të papranueshme: Në Londër organizohet një shfaqje teatrale “Chorpus Christi” ku Jezu Krishti paraqitet si Mbret i homoseksualëve, ndërsa muslimanët (e Anglisë) janë ndër të parët që ngrejnë zërin kundër kësaj poshtërsie që nuk është e pranueshme as në fe, as në kulturë, as në traditë.
Muslimanët të cilët i besojnë Isa a.s. si pejgamber, i lindur nga Merjemeja e pastër, me siguri nuk do të habiten nga ky pompozitet që ka marrë hov të madh nën pretekstin e fesë, duke bërë prezentimin e një jete e cila akoma është duke jetuar tmerrin e areligjiozitetit dhe vështirësinë e demokracisë e cila është duke qëndruar “e mirë” vetëm se në fjalë, e kurrsesi si gëzim për njeriun e mijëvjeçarit të ardhshëm – nëse nuk e shkatërrojmë. Shpresë se Librat e Shenjtë me pastërtitë e tyre do ta marrin hovin e rivendosjes së rregullave fetare në botë, e më në fund njeriu të jetë i lirë edhe si individ edhe në shoqëri duke iu kthyer fundamentalizmit të parimeve të fesë.

Përfundim

Feja edhe pse pranohet nga njeriu nuk do të thotë se ai ka të drejtë ta keqpërdorë si në mendim, kuptim ashtu edhe në praktikim. Popujt e mëparshëm e bënë këtë e Zoti i dënoi. Feja islame e pranon respektin e atyre që e shfaqin ndaj pejgamberit Isa a.s., si i dërguar i All-llahut. Qëllimi i fesë është se urdhërat të dëgjohen me kujdes duke iu larguar çdo dëshire që nuk ka të bëjë me Zotin. Feja fare nuk i njeh numrat. Shtetet nuk krijojnë fe, edhe pse ato mundohen të tregohen si liridhënës të fesë pa Zot si fe. Nuk ka fe pa Zot dhe pa parime të karakterit të lutjes, rregullave të jetës dhe pastërtisë së shpirtit. Islami pa iman, pa ibadet, pa shehadet, pa llogari, pa takim me Zotin nuk është Islam.